Kurti para studentëve austriakë: Progresi i Kosovës, i njohur nga raportet ndërkombëtare

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë.

Kurti tha se ishte kënaqësi takimi sot me ta, duke shprehur mirënjohjen e tij të përzemërt për Akademinë Diplomatike të Vjenës lidhur me organizimin e këtij udhëtimi studimor e i cili, siç potencoi ai, na lejon të diskutojmë dhe eksplorojmë arritjet e Republikës sonë.

Para studentëve, kryeministri Kurti, derisa foli për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sfidat, arritjet e sukseset, po ashtu veçoi edhe qëndrimin ambicioz të Qeverisë që ai udhëheq ndaj reformave demokratike në të gjithë sektorët e Qeverisë, veçanërisht sigurimin e një sistemi më të fortë të mirëqenies, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe përforcimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe rritjen e ekonomisë.

Ky progres, theksoi ai, është njohur gjerësisht nga raporte të shumta ndërkombëtare, duke forcuar reputacionin e Kosovës si një histori suksesi në shtetin e demokracisë.

Në këtë takim të kryeministrit Kurti me studentët nga Akademia Diplomatike e Vjenës, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Go to TOP