Kurti në Marinë nderon dëshmorët Rasim Kiçina e Ragip Halilaj

Në nderim të rënies heroike të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Marinë të Komunës së Skenderajt.

Kurti vendosi lule të freskëta në përkujtim të rënies heroike të dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën e ashpër me forcat serbe.

Kurti me këtë rast falënderoi luftëtarët e lirës, dëshmorët, veteranët e invalidët e luftës, dhe gjithë popullin, për lirinë që e gëzojmë sot. “U jemi përjetë mirënjohës dhe falënderues”, tha ai.

Kryeministri tha se kjo duhet bartur brez pas brezi dhe institucionalizuar në muze në mënyrë që të mësohet historia e dëshmorëve.

Në bashkëbisedim me familjarët e dëshmorëve, Kurti vlerësoi kontributin e këtyre dy familjeve patriotike dhe i falënderoi për qëndresën e tyre.

Go to TOP