Demiral bëri simbolin e `Ujqërve Gri`, UEFA nis hetimet ndaj lojtarit turk

Komisioni disiplinor i Unionit të Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) ka nisur një hetim ndaj lojtarit të kombëtares turke për përshëndetjen e tij të “Ujqërve Gri” në ndeshjen e së martës në Kampionatin Evropian ndërmjet Turqisë dhe Austrisë.

Merih Demiral, i cili shënoi të dy golat në fitoren 2-1 ndaj Austrisë duke i siguruar vendin e Turqisë në çerekfinalet e Euro 2024, bëri “përshëndetjen e ujkut”, me gishtin e vogël dhe gishtin tregues të ngritur, me të dyja duart në ndeshjen në Leipzig.

Përshëndetja lidhet me organizatën ultranacionaliste turke “Ujqërit Gri”, që shihet si krahu paraushtarak i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) të ekstremit të djathtë të Turqisë, një aleat i qeverisë së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ideologjia e Ujqërve Gri bazohet kryesisht në nacionalizmin turk. Prandaj, kurdët, armenët dhe minoritetet e tjera në Turqi kanë qenë herë pas here objektivat e tyre.

Që kur Franca i ndaloi zyrtarisht “Ujqërit Gri” në vitin 2020, qeveria gjermane është përballur me një fushatë publike të intensifikuar në favor të ndalimit të grupit nacionalist turk.

Edhe pse as organizimi dhe as përshëndetja nuk janë të ndaluara në Gjermani, përshëndetja është e ndaluar në Austri.

UEFA, e cila sanksionon simbolet politike që konsiderohen “të papërshtatshme” për një ngjarje sportive nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës, ka nisur një hetim ndaj Demiralit për përshëndetjen e “ujkut.”

Demiral tha në një konferencë për shtyp duke iu referuar përshëndetjes se kjo “ka të bëjë me identitetin tim turk. Sepse jam shumë krenar që jam turk. … Jam shumë i lumtur që e bëra këtë.”

Lojtari i kombëtares turke postoi gjithashtu një foto në rrjetin e tij social ‘X’ me përshëndetjen e tij.

Gjesti i Demiralit ka tërhequr vëmendjen e ministres së Brendshme gjermane Nancy Faeser, e cila tha të mërkurën në X se simbolet e ekstremistëve të djathtë turq “nuk kanë vend në stadiumet tona”.

“Përdorimi i Kampionatit Evropian të Futbollit si një platformë për racizmin është krejtësisht i papranueshëm. Ne presim që UEFA të hetojë rastin dhe të marrë në konsideratë sanksionet”, shtoi ajo.

Demiral është kritikuar gjithashtu edhe nga gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Go to TOP