Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse të shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik. Kjo ngjarje u shënua përmes ekspozitës së ambasadorit “Arti përmes këndit të një diplomati”, e cila shënoi dhe përmbylljen e rrugëtimit të tij si udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë.

Kurti shprehu kënaqësinë që përgjatë tri vjetëve të fundit, bashkërisht me ambasadorin Kostilnik ka patur mundësi të zhvillojë biseda të ndryshme me fokus në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë, por edhe mbi të ardhmen e kontinentit tonë dhe rreth Bashkimit Evropian, si projekti më i madh i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ju uroj gjithë të mirat në detyrat tuaja të ardhshme dhe ju falënderoj për të gjitha përpjekjet dhe kontributin në thellimin e marrëdhënieve tona dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë”, u shpreh kryeministri.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, përmbyll këtë muaj misionin e tij si udhëheqës i misionit, pas pesë viteve të shërbimit në Kosovë.

Go to TOP