Kurti: Me deklaratën për të zhdukurit, Serbia pranoi krimin e zhdukjes me forcë dhe hapjen e arkivave

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë. Kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar Drejtorinë e porsathemeluar për Hetimin e Krimeve të Luftës, që në të kaluarën ka qenë në nivel sektori.

Ai veçoi rëndësinë e zbatimit të ligjit për gjykimin në mungesë si dhe Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend.

Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, kryeministri theksoi se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

“Ai theksoi rëndësinë e adoptimit të deklaratës pёr personat e zhdukur, me të cilën pas mohimit 24 vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovë. Veçoi dakordimin për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, ‘Patkoi’”.

Sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues.

“U vlerësua struktura e re organizative e miratuar e Policisë së Kosovës, me të cilën ky sektor, që ka vepruar me gjithsej 19 zyrtarë hetues, është ngritur në nivel të drejtorisë, dhe në nivelin hierarkik dhe funksional është lidhur drejtpërdrejt me Departamentin Qendror të Hetimeve”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë.

Go to TOP