Kurti i drejtohet Abdixhikut: Policinë e Kosovës e kemi në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar përplasjen e tij me deputetët e opozitës në interpelancën për situatën në veri.

Kurti ka folur për betimin e deputetëve të rinj të Listës Serbe, që megjithatë sipas tij të njëjtit nuk po i përmbahen atij.
“Betimin që e kanë dhënë në të kaluarën politikanët serbë, më së miri e tregon betimi i fundit i zyrtarëve të Listës Serbe. Ata u betuan por nuk janë këtu me ne. Ata konstatuan se betimi i tyre është veprim strategjik për ta luftuar shtetësinë dhe Republikën tonë. S’besoj që duhet të thirremi në të kaluarën kur serbët kanë dhënë betimin. Ka të tillë që edhe këtu e dhanë betimin dhe vazhdojnë ta kryejnë punën e Beogradit”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se jo të gjithë serbët duhet të futen në një kategori.

“S’besoj që duhet t’i vendosim të gjithë serbët në kategori. Ka serbë që kanë dhënë betimin, e sot punojnë me shqiptarët. Mos t’i barazojmë këto dyja. Betimin këta atëherë e kanë dhënë me urdhër të Beogradit. Le ta kuptojmë një gjë që besoj që e kemi ditur. Situata në veri të Kosovës nuk ka qenë normale, ndonëse kanë qenë duke punuar serbë aty”, shtoi kryeministri.

Ai iu përgjigj edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që tha se në veri s’ka policë të Kosovës.

“S’është e vërtetë që në veri s’ka polici. Policia jonë është atje, në çdo ndërtesë të policisë. Dhe në rrugët atje ka polici të Kosovës”, tha Kurti.

Go to TOP