Kurti flet për deklaratën e ambasadorit Hill

Ata të cilët janë të pakënaqur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës do të duhej ta kenë barrën e provës dhe argumentimit dhe të na tregojnë se çfarë nuk është në rregull dhe se çfarë nuk mjafton. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti kur është pyetur për deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Ky i fundit në një intervistë për mediat serbe tha se nuk do të ketë më marrëveshje me Serbinë pa zgjidhjen e çështjes së të drejtave kolektive të serbëve të Kosovës.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk kam përgjigje të re, por natyrisht që në kapitullin e katërt të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që e kemi prezantuar më datën 18 gusht në Bruksel, aty kam thënë që do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel dhe interpretimin e tyre por që nuk mund të jetë kapitulli i parë dhe nuk mund të jetë nga 33 marrëveshje vetëm njëra më e rëndësishmja, më kryesorja dhe prioritarja”, ka theksuar Kurti.

Ai këto deklarata i bëri pas vizitës në HANDIKOS, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës të drejtat e pakicave dëshiron dhe duhet t’i respektojë.

“…por e ritheksoj që ata që duan diçka ndryshe prej asaj që e ka paraparë Kushtetua e Republikës së Kosovës duhet të tregojnë se si ka qenë gabim Kushtetuta e Kosovës”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Kurti nuk ka dashur ta komentojë deklaratën e presidentin të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kreun e ekzekutivit kosovar e quajti “ndyrësirë terroriste”.

I pari i Qeverisë tha se ai flet vetëm për qëndrime dhe ide, dhe për pajtimet dhe mospajtimet e ndërsjella, por jo edhe për nivelin e edukatës së kreut shtetëror të fqinjit tonë verior.

Go to TOP