Kurti: Duke kujtuar dëshmorët tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zv.kryeministrja Donika Gërvalla kanë bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në 26-vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Kryeministri Kurti ka thënë se duke kujtuar Zahir Pajazitin dhe dëshmorët e tjerë, njëkohësisht tregohet se sa i madh është çmimi për lirinë e vendit.

“Bashkë me presidenten Osmani, zv.kryeministren Gërvalla dhe me ministra të tjerë të qeverisë sonë, vendosëm lule të freskëta te përmendorja e komandantit Zahir Pajaziti. Para 26 vjetëve Zahir Pajaziti së bashku me Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë.

Duke kujtuar atë dhe të tjerët dëshmorë në të njëjtën kohë tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, shtetin, pavarësinë tonë dhe se sa i vlefshëm për të tashmen është ky përkujtim që bëhet”, u shpreh ai.

Më 31 dhjetor të vitit 1997 ka ndodhur një ndër betejat e para të mëdha të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Gjatë asaj dite Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha po udhëtonin nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, gjersa tashmë grupi i tyre ishte zbuluar nga  sigurimi serb, të cilët njëherazi kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Go to TOP