Kurti: Brenda vitit kemi shkatërruar 69 grupe kriminale, u arrestuan mbi 2 mijë persona
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka numëruar të arriturat në sistemin e zbatimit të ligjit në vend.
Ai, ka përmendur 854 aksione policore, të urdhëruara nga Prokuroria e Shtetit dhe të ekzekutuara nga Policia e Kosovës.
Shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe shkatërrimin e 69 grupeve kriminale, si dhe konfiskimin e 1.8 ton narkotikëve.
“U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë; Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit; Shkatërruam 69 grupe kriminale, U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike; Shkatërruam 5 laboratorë të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri;Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave”, ka shkruar Kurti.
Ai po ashtu njoftoi se gjatë vitit të që lamë pas janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore.
“Ndërtuam 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje”, tha ai.
