Kurti: ALPEX, një ëndërr e kamotshme e realizuar për Kosovën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka quajtur Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) një ëndërr të kamotshme e realizuar për Kosovën.

Kurti thotë se ALPEX është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme.

“Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) është një ëndërr e kamotshme e realizuar për Kosovën. ALPEX është mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri. ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024. Ai është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme”, shkroi ai.

Kreu në detyrë i qeverisë thotë se dje dhe sot, përmes ALPEX-it, KEK ka siguruar energjinë për konsumatorët në tregun e hapur me çmime konkurruese dhe transparente.

“ALPEX është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike të Kosovës në tregun evropian që parashihet të realizohet në vitin 2030”, përfundoi kreu në detyrë i qeverisë. /Kosova.info/


Go to TOP