Kur përvoja japoneze e xhudos takohet me talentin kosovar

Peja mikpret stërvitje ndërkombëtare në qendrën e xhudos – emra të mëdhenj nga Japonia, Suedia dhe Shqipëria në tatamin kosovar

Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë është kthyer këto ditë në një vatër të rëndësishme të zhvillimit ndërkombëtar të sportit të xhudos. Nën koordinimin e Kryemjeshtrit Driton Kuka, trajnerit Fatos Tabaku dhe Kampiones Olimpike Nora Gjakova, në Pejë po mbahen stërvitje intensive me pjesëmarrjen e emrave të njohur të këtij sporti.

Në fokus të kësaj stërvitjeje janë trajneret elitare japoneze, Misato Nakamura, Tomoe Yokoyama dhe Nami Nabekura, të cilat kanë sjellë përvojën dhe disiplinën e shkollës japoneze të xhudos në shërbim të zhvillimit të talenteve kosovare.

Përveç prurjeve nga Japonia, Peja ka mirëpritur edhe xhudiste nga Suedia dhe Shqipëria, të cilat kanë shprehur gatishmëri të stërviten dhe të ndajnë përvojat e tyre me xhudistet vendore.

Ky bashkëpunim është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Federatës së Xhudos për të ndërtuar ura lidhëse me shkollat më të avancuara të sportit në botë, duke e bërë Kosovën një pikë referimi në xhudon ndërkombëtare.


Go to TOP