Kundërshtohet objekti i ri në Shtime, kërkohet integrim i pacientëve mendor

70 psikologë kanë reaguar për ndërtimin e objektit të ri të Institutit Special të Shtimes, duke kundërshtuar që pacientët mendor të trajtohen sërish në vende periferike, duke rrezikuar integrimin e tyre në komunitet.

Ata nëpërmjet një letre i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, teksa kanë potencuar që institucionet e mbyllura rezidenciale të shuhen dhe të zëvendësohen me shërbime të bazuara në komunitet.

“Ata/ato kërkojnë thellimin e investimeve në shërbime komunitare dhe përfshirjen sociale të personave me nevojë për ndihmë të shërbimeve të shëndetit mendor, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit, të drejtave dhe rehabilitimit real për çdo individ. Me këtë letër, komuniteti i psikologëve qartazi refuzon Institutin Special si zgjidhje të problemeve ekzistuese dhe kërkon investim në shërbimet komunitare të shëndetit mendor”, thuhet në postimin e Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, si nismëtare e kësaj kauze.

Më tej bëhet e ditur se kërkesa  e tyre është investimi në qendra të shëndetit mendor në baza ditore me ekipe të lëvizshme të kujdesit. /Kosova.info/


Go to TOP