Kuçi nga Rahoveci: Kosova ka potencial energjetik, duhen vendime të guximshme për zhvillim

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Blerim Kuçi, ka zhvilluar një takim me banorët e Opterushës, Zoqishtit dhe Retisë në komunën e Rahovecit, ku është diskutuar për sfidat dhe mundësitë zhvillimore të vendit.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, Kuçi theksoi se një nga temat kryesore ishte sektori i energjisë duke vlerësuar potencialin e madh që ka Kosova falë rezervave të linjitit. Megjithatë, ai nënvizoi se mungesa e investimeve dhe pasiguritë në furnizim vazhdojnë të mbeten sfida serioze.

Sipas tij, ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese dhe hartimi i një strategjie të qartë energjetike do të mundësonin sigurimin e energjisë së mjaftueshme për qytetarët dhe bizneset duke ulur varësinë nga importi dhe kostot e larta.

Në takim u diskutua edhe për rolin e mërgatës, për të cilën Kuçi tha se ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ndër vite. Ai shtoi se institucionet duhet të krijojnë kushte më të favorshme për investime, në mënyrë që diaspora të kthehet dhe ta shohë të ardhmen e saj në Kosovë.

Në fund, Kuçi theksoi se Kosova ka potencial të madh zhvillimor, por kërkon vendime të guximshme për ta shndërruar atë në mirëqenie për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP