Kryetari i Vitisë kritikon qeverinë për ndarje të buxhetit, thotë se ajo i favorizoi komunat e VV-së

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, po e kritikon nivelin qendror për mosbashkëpunim me komunën që ai e udhëheq.

Ai tha se ka mungesë të vizitave, të komunikimit dhe investimeve kapitale.

I pari i Vitisë tha se shumë projekte si shkolla, palestra sportive e stadiumi, kanë mbetur të papërfunduara sepse nuk janë përkrahur nga niveli qendror.

Haliti i cili vjen nga LDK-ja kritikoi qeverinë për ndarjen e buxhetit, sipas tij ajo i favorizoi komunat që Vetëvendosje i ka në pushtet.

Ai tha se për komunën që ai udhëheq u ndanë vetëm katër euro për kokë banori për investime kapitale.

“Edhe ministritë e linjave, protokollin shtetëror kanë mundur ta respektojnë shumë më shumë kur të dalin në komuna, gjë që spo ndodhë, sepse na kanë munguar vizitat së pari në nivel qendror, ka munguar komunikimi, investimi dhe shpërndarja e buxhetit”, u shpreh Haliti.

Udhëheqësi i Vitisë, përmendi disa probleme me të cilat është duke u ballafaquar kjo komunë, duke theksuar këtu ndërtimin e shkollës fillore “Halil Alidema” në fshatin Pozheran e cila ka filluar së ndërtuari tash e sa vite dhe ende nuk ka përfunduar.

Ai me këtë rast ka bërë kërkesë që Qeveria t’i bartë mjetet komunës dhe komuna t’i vazhdoj vetë punimet.

Tutje, Haliti ka përmendur edhe stadiumin e palestrën që kanë mbetur po ashtu të papërfunduara.

“Komuna e Vitisë ka probleme si shkolla e Pozheranit që tash dy vite është blloku e nuk po ndërtohet më arsyetime me ankesa. Megjithatë nuk ka kuptim që një shkollë nuk aftësohet, nuk vazhdohet me përfunduar e jo me pesë ndërrime në shkollën e mesme profesionale tashmë jemi duke i zhvillu mësimet”.

“Kemi edhe projekte tjera të cilat nuk kanë vazhdu edhe janë blloku e që Vitia ka nevojë për të, ka nevojë stadiumi i Pozheranit të përfundohet, ka nevojë palestrën me përfundu mbi të gjitha me rëndësi është shkolla, dhe bëj kërkesë që kjo shkollë shpejt ose t’i barten mjetet komunës që ne t’u bëjmë në afat ligjor të rregullt dhe të vazhdojmë punimet që së paku në vitin e ri shkollor t’i gjejë në shkollën e re dhe projektet e tjera”, është shprehur ai.

Haliti u shpreh jo i kënaqur edhe nga përfundimi i punimeve në zonën ekonomike.

“Zona ekonomike në një mënyrë është inauguruar mirëpo unë skam qenë i kënaqur dhe ia kam shpreh edhe ministres në prezencën e kryeministrit që është dashtë me u bë mbushja dhe asfaltimi i pjesës së dytë dhe në aspektet e tjera që me kriju kushte për investitorët. Në këtë gjendje e kemi pasur një vit që me të vërtete na kanë neglizhuar në kohën kur investitorët kanë qenë të interesuar”, ka thënë ai.

Go to TOP