Kryesuesi i KGJK-së paralajmëron masa edhe ndaj gjyqtarëve tjerë serbë që ishin në takim me Vuçiqin

Kryetarja në suspendim e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq duket të mos ketë qenë e vetme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë. Bashkë me Stevanoviqin, dyshohet se morën pjesë edhe dy gjyqtaret e tjera të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, Dragica Jakoleviq dhe Lidija Vuçuroviq. Të dyja shihen edhe në pamjet e takimit, duke tentuar ta fshehin fytyrën.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka në RTV Dukagjini se me suspendimin e Kryetares së Gjykatës në Mitrovicë i është hapur rrugë edhe hetimit të gjithë anëtarëve tjerë të gjykatës.

“Në Kosovë kryetari i gjykatës është autoriteti kompetent që mund të fillojë hetimet dhe në këtë rast kryetarja do të kishte konflikt interesi potencial për të filluar hetimet, por tashmë është hapur rruga edhe inicimi i procedurave të tjera, pa paragjykuar kush do të jetë subjekt i hetimit”, tha ai.

Zogaj thotë se autoritetet që mund të iniciojnë këto hetime tashmë janë njoftuar për dyshimet e shfaqura në media në lidhje me pjesëmarrjen e dy gjyqtareve të Gjykatës së Mitrovicës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

“Janë disa afate kohore për të cilat duhet shqyrtuar rasti. Padyshim se të gjithë që janë përfshirë në proces [takim me Vuçiqin] duhet të jenë subjekt i procedurës disiplinore. Nga momenti që kalojnë 30 ditë nga njoftimi i autoriteteve kompetente, Këshilli kontakton me Kryetarin e Gjykatës Supreme. Pa kaluar ajo kohë në nuk mund të ndërmarrim hapa tjerë”.

Duke folur për bojkotin e gjyqtarëve serb ndaj institucioneve pas suspendimit të Stevanoviqit, Zogaj tha se secili nga ta juridikisht ka gjetur arsye për mungesën në punë.

“Dikush ka thënë se ka shfrytëzuar pushimin vjetor, dikush tjetër atë shëndetësorë e me radhë që në terma praktikë dhe juridikë është në rregull”.

Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor të Kosovës thotë se pavarësisht situatave të vështira rasti me suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, tregoi se ligji veproi njëjtë me të gjithë pavarësisht etnisë.

Go to TOP