Kryeqyteti nënshkruan kontratën 1.5 milionëshe me KRM “Pastrimi”, premton zgjidhje për kërkesat e tjera sindikale
Sot është zhvilluar një takim zyrtar ndërmjet përfaqësuesve të lartë të Kryeqytetit dhe Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi”, ku janë diskutuar kërkesat e parashtruara nga sindikata, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për sfidat e ndërmarrjes dhe të punonjësve.
Njëra ndër kërkesat kyçe – kontrata për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore në vlerë prej 1.5 milionë euro – është finalizuar dhe nënshkruar nga të dyja palët. Kjo kontratë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të operacioneve dhe financave të ndërmarrjes.
Për kërkesat e tjera të sindikatës, si pagesa retroaktive për pesë muaj dhe nënshkrimi i kontratës bazike për shërbime të rregullta të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Prishtinës, përfaqësuesit komunalë kanë propozuar shqyrtimin e mundësive për zgjidhje brenda kornizës ligjore dhe kompetencave ekzekutive të Kryeqytetit.
Lidhur me zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përfaqësuesit e “Pastrimit” janë informuar për një takim të thirrur nga Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, me kryetarët e komunave të tjera aksionare. Në këtë takim, është shprehur gatishmëria për të iniciuar procedurat e decentralizimit të ndërmarrjes në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kryeqyteti shpreh përkushtim të plotë për adresimin serioz të të gjitha çështjeve që ndërlidhen me funksionimin e ndërmarrjes dhe mirëqenien e punonjësve, duke theksuar se grumbullimi i punëtorëve para objektit të Komunës është i panevojshëm në këtë fazë.
Ndërkohë, për të garantuar pastërtinë në qytet dhe në fshatrat përreth, grumbullimi i mbeturinave po vazhdon 24/7 përmes operatorëve të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, si masë emergjente për përballimin e situatës së krijuar. /Kosova.info/
