Bota

Kryeparlamentarja norvegjeze jep dorëheqje – keqpërdori pozitën, qiranë e apartamentit ia paguante parlamenti

Kryetarja e parlamentit norvegjez, Eva Kristin Hansen dha dorëheqje pasi u zbulua se parlamenti po paguante për apartamentin e saj, pavarësisht se kishte shtëpi pranë Oslos.

Prokurorët e shtetit kanë kërkuar nga policia që të hetojë nëse është kryer mashtrim. Ndonëse nuk thuhet konkretisht se kur po zhvillohen hetimet, Hansen, e cila është një zyrtare e Partisë Laburiste në pushtet, sapo vuri në dukje hetimin, dha dorëheqje.

“Unë nuk mendoj se është e pranueshme që parlamenti të ketë një presidente nën hetimin e policisë. Prandaj e informova kryetarin e partisë dhe drejtuesit se do të jap dorëheqje”, tha ajo, raporton forbes.

Gazeta norvegjeze Anresseavisen raportoi më parë se Hansen e kishte shfrytëzuar falas apartamentin në Oslo, ndërsa në të njëjtën kohë kishte një shtëpi 29 kilometra larg parlamentit.

Theksojmë se parlamenti paguan apartamente të tilla për zyrtarët që jetojnë 40 kilometra ose më larg se Oslo.

Ky rast zgjoi interesimin e publikut edhe më shumë pasi vetë Hansen deklaroi se do të luftonte abuzimin e apartamenteve. Ajo ka thënë se është penduar që nuk ka informuar se aty afër ka pasur një shtëpi dhe se ka qenë “vlerësim i gabuar”.

Shfaq më shumë