Kryeministrja e Danimarkës sulmohet në rrugë, arrestohet i dyshuari

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, është sulmuar nga një burrë në një shesh të kryeqytetit Kopenhagë, njoftoi Zyra e saj të premten vonë.

“Kryeministrja Mette Frederiksen u rrah të premten në mbrëmje në [sheshin] Kultorvet në Kopenhagë nga një burrë, i cili u arrestua pastaj”, tha Zyra e saj në një komunikatë për media.

Kryeministrja është “e tronditur nga ky incident”, shtoi Zyra e saj, pa dhënë hollësi të tjera.

Policia daneze njoftoi në rrjetin social X se e ka arrestuar të dyshuarin dhe se është duke e hetuar incidentin, duke mos dashur të japë hollësi të tjera.

Sulmi ndaj saj ndodhi dy ditë para se danezët të votojnë në zgjedhjet evropiane.

Tri javë më parë, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë në një tentim-vrasje.

Frederiksen kishte marrë pjesë në një ngjarje për zgjedhjet për Parlament Evropian së bashku me kandidaten kryesore social-demokrate Christel Schaldemose të premten pasdite, raportoi transmetuesi danez TV2.

Partia e saj social-demokrate është partia më e madhe në koalicionin qeverisës.

Ministri danez i Mjedisit, Magnus Heunicke, shkroi në rrjetin social X: “Mette është e tronditur nga ky sulm. Më duhet të them se na trondit të gjithë neve që jemi të afërt me të”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e dënon “fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm”.

“Dhuna kundër secilit lider, është sulm ndaj frymës së demokracisë”, shkroi Osmani në X.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shkroi në X se ndihet i “tmerruar”.

“E dënoj fuqishëm këtë akt të shëmtuar agresioni”, shkroi ai.

Kryeministrja e Letonisë, Evika Silina, ka reaguar ndaj këtij sulmi.

“Thellësisht e tmerruar nga sulmi ndaj koleges dhe mikes time, kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen”, ka shkruar Silina në rrjetin social “X”.

“Mendimet tona janë me ju dhe të dashurit tuaj. Ju uroj shërim të shpejtë”, ka shtuar ajo.

Go to TOP