Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit egjiptian

Në prag të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi me përfaqësuesit e këtij komuniteti.

Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin gjatë vitit, i cili për nga bashkëpunimi politik me siguri ishte në nivel të shkëlqyeshëm, por edhe me komunitetin përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit, ku natyrisht që mund të bëjmë shumë punë të mira në të ardhmen, tha kryeministri në hapje të tryezës së organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.

Duke i falënderuar për kontributin shumë të vlefshëm në ndërtimin e Kosovës, ai shprehu mirënjohje edhe për gatishmërinë e përfaqësuesve të komunitetit për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit.

Ai theksoi se Zyra për Çështje të Komuniteteve ka 1 milion e gjysmë euro fonde për komunitete dhe se gjatë verës do të hapet një thirrje tjetër për aftësimin dhe punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve. Ky është prioritet si për qeverinë tonë ashtu edhe për komunitetet, tha kryeministri.

Si hap të rëndësishëm për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji, ai veçoi miratimin e vendimit për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Kryeministri potencoi nismat e tjera që do të ndikojnë në punësimin e komunitetit egjiptian, siç janë bursat për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në fakultet të Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen e afërt në klasat tona anë e mbanë Kosovës të mund të kemi mësuese dhe mësues të komunitetit, ashtu që të japin kontributin e tyre jo vetëm për fëmijët egjiptian po edhe për fëmijët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka ndarë edhe 500 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në drejtime të tjera të studimeve, pra përveç Edukimit, tha kryeministri.

Në tryezën e përbashkët morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Redžepi, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi, deputeti i Kuvendit të Republikës, z.Fridon Lala, këshilltarja e kryeministrit znj.Elizabeth Gowning, përfaqësues politikë, përfaqësues të institucioneve e të shoqërisë civile si dhe shërbyes civil.

Fjala e Kryeministrit Kurti në tryezën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit:

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Redžepi,

I nderuari Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi,

I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës, z.Fridon Lala,

Të nderuar përfaqësues politikë e të shoqërisë civile, shërbyes civilë,

Të nderuar të pranishëm,

Mirëdita të gjithëve dhe ju përshëndes e ju dëshiroj mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë, këtë javë, kur jemi në prag të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë.

Besoj, që së bashku kemi shumë për të festuar për komunitetin tuaj, por gjithsesi jam këtu edhe për t’iu dëgjuar lidhur me sfidat, që ju i shihni e të cilat po vazhdojnë të mbesin.

Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin gjatë vitit, i cili për nga bashkëpunimi politik me siguri ishte në nivel të shkëlqyeshëm, por edhe me komunitetin përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit, ku natyrisht që mund të bëjmë shumë punë të mira në të ardhmen.

Gjatë kësaj jave të veçantë, do të ketë aktivitete të larmishme, prej valleve e këngëve popullore deri tek shfaqjet artistike nga grupet rinore kulturore dhe trajnime për rini, për të drejtat, storiet e suksesit dhe filma me metrazh të shkurtë, të organizuar prej organizatave joqeveritare, që sot janë këtu me neve e që kanë pasur sukses në aplikimin për fonde për aktivitetet kulturore nga Zyra për Çështje të Komuniteteve.

E di, që edhe organizatat të tjera joqeveritare dhe media, kanë aplikuar për fonde në thirrjen e fundit të Zyrës për Çështje të Komuniteteve dhe vlerësimi i këtyre aplikimeve tash është në proces e sipër.

Ne kemi vendosur një sistem transparent dhe fer për ndarjen e fondeve për komunitete dhe uroj që do të kemi shumë iniciativa të qëlluara nga komuniteti egjiptian, ku do të mund të promovohen dhe të mbrohen të drejtat e komunitetit.

Zyra për Çështje të Komuniteteve, gjithsejtë ka 1 milion e gjysmë euro fonde për komunitete dhe me vjen mirë që gjatë verës do të hapet një thirrje tjetër për aftësimin dhe punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve, sepse ky është prioritet si për qeverinë tonë ashtu edhe për komunitetet.

Si hap i rëndësishëm në adresimin e kësaj sfide në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar vendimin për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Me përfaqësim nga Zyra e Kryeministrit, kabineti, ministritë dhe shoqëria civile, ekipi ndërinstitucional ka përgjegjësi për promovimin e punësimit të komunitetit dhe ndër to për herë të parë do të bëjë grumbullimin dhe publikimin e të dhënave për punësimin e secilit komunitet.

E dimë që vetëm me këto të dhëna mundemi të ndërmarrim masa të nevojshme për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji. Edhe nismat e tjera do të ndikojnë në punësimin e komunitetit egjiptian. Më duhet të përmend edhe punën e mirë të ministrit Elbert në bashkëpunim më ministren Arbërien, për bursat për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në fakultet të Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen e afërt në klasat tona anë e mbanë Kosovës të mund të kemi mësuese dhe mësues të komunitetit, ashtu që të japin kontributin e tyre jo vetëm për fëmijët egjiptian po edhe për fëmijët e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka ndarë edhe 500 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në drejtime të tjera të studimeve, pra përveç Edukimit. Këto janë shtesë.  Jemi krenarë me komunitetin, që jep kontribut në një varg pozita brenda ministrive dhe komunave. Është kënaqësi që në disa prej tyre janë me ne sot këtu.

Shpresoj që do të kemi një tryezë të rrumbullakët në të ardhmen, ku nuk do të mund t’i ftojmë të gjithë në këtë sallën P38 të Ndërtesës së Qeverisë, sepse nuk na mjafton hapësira këtu.

Me këtë qëllim edhe sivjet kemi program për 100 praktikantë me prioritet për komunitetet, që tash janë në punë në ministri dhe komuna dhe më vonë gjatë vitit do të kemi një konferencë ku mund të ndajmë storiet e tyre të suksesit për të inkurajuar të tjerë prej komuniteteve të kontribuojnë me aftësinë e tyre në institucione, por edhe që institucionet të kuptojnë se sa shumë po përfitojmë të gjithë nga diversiteti në vendet e punës.

Edhe në nivel të komunave e dimë rëndësinë e përfaqësimit të komuniteteve dhe më vjen mirë që kemi me ne sot dy zyrtarë të zyrave komunale për komunitete dhe kthim.

Këto zyra janë hallkë e domosdoshme në sigurimin e shërbimeve për qytetarët në nivel lokal.

Në takimin tim me zyrtarët e këtyre zyrave në muajin mars, kam dëgjuar për brengat që kanë dhe kemi identifikuar mënyrat më të mira të punës së përbashkët. Një nga rezultatet e këtyre bisedave ka qenë edhe konferenca për ndarjen e praktikës së mirë mes komunave, midis zyrave komunale, të organizuar javën e kaluar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Kryeministrisë. Por, unë jam këtu që t’iu dëgjoj juve, andaj nuk po e zgjat më shumë.

Po ju falënderoj edhe njëherë për kontributin tuaj shumë të vlefshëm në ndërtimin e Kosovës sonë, si dhe për gatishmërinë të jeni me neve për të vazhduar bashkëpunimin së bashku.

Ju faleminderit

Go to TOP