Kryeministri i Izraelit takohet me princin e kurorës në një vizitë historike në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryeministri izraelit Naftali Bennett u takua me princin e kurorës së Abu Dhabit të hënën, pasi u bë lideri i parë i shtetit hebre që vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe, një vit pas vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Bennett u takua me Princin e Kurorës Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan në pallatin e tij privat, thanë zyrtarët izraelitë, pas mbërritjes së kryeministrit në kryeqytetin e Emirateve të dielën vonë.

Izraeli po bën gjithashtu një shtytje diplomatike kundër rinovimit të bisedimeve ndërkombëtare me Iranin, armikun e tij kryesor, mbi programin bërthamor të Republikës Islamike.

Bennett, i cili pritej të fokusohej në lidhjet tregtare, sipas zëdhënësit të tij, tha se vizita e tij pasqyronte një “realitet të ri” për rajonin.

“Për mendimin tim, ky është… realiteti i ri që po përjeton ky rajon dhe ne po punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, citohet të ketë thënë ai.

Bennett ishte planifikuar gjithashtu të takohej me ministrat e teknologjisë dhe transportit të Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë vizitës së tij, thanë zyrtarët izraelitë.

Ndërsa ai është kryeministri i parë izraelit që viziton Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri i Jashtëm Yair Lapid bëri një udhëtim historik në qershor, duke hapur një ambasadë në Abu Dhabi dhe një konsullatë në Dubai.

Në anën tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe hapën një ambasadë në Tel Aviv në korrik.

Go to TOP