KRM “Pastrimi”: Kryetari Rama po e pengon qëllimshëm punën tonë, rrezikohet falimentimi i ndërmarrjes

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka akuzuar Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për veprime të qëllimshme që po e çojnë ndërmarrjen drejt falimentimit. Në një deklaratë publike, përfaqësuesit e “Pastrimit” thanë se Rama ka filluar të ndërhyjë në punën e tyre që prej disa muajsh, fillimisht përmes shpalljes së tenderëve të jashtëligjshëm për privatizimin e shërbimit të pastrimit dhe më pas me thirrje që faturat të paguhen në Komunë e jo në ndërmarrje.

Sipas tyre, paradoksi i radhës ndodhi dje, kur Rama publikoi një video ku kërkonte subvencion për KRM “Pastrimi”, ndërkohë që sot ai dhe asamblistët e tij nga LDK lëshuan sallën e Kuvendit Komunal duke pamundësuar miratimin e atij subvencioni. “Pra vet bën thirrje për subvencion të ndërmarrjes, dhe vet e pamundëson votimin në Kuvend,” thuhet në reagim.

Ndërmarrja thekson se Komuna e Prishtinës ka një borxh prej 2.7 milionë euro ndaj saj, ndërsa punëtorët rrezikojnë të mbesin pa paga dhe kamionët pa karburant. “Në vend që Kryetari Rama të angazhohet për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit, ai ka zgjedhur të bëjë politikë me një nga çështjet më të ndjeshme të qytetit,” thekson deklarata.

Pavarësisht kësaj, “Pastrimi” ka ftuar publikisht Kryetarin Rama që të takohet me përfaqësuesit e ndërmarrjes dhe të gjejnë së bashku zgjidhje për të mirën e qytetarëve dhe punëtorëve. Ata theksuan se menaxhmenti i ndërmarrjes është vlerësuar nga Auditori Shtetëror si një ndër më të suksesshmit në vend, falë përkushtimit të punëtorëve të saj.

Në fund, ndërmarrja bën thirrje për bashkëpunim dhe dialog duke e konsideruar të papranueshme që një çështje e tillë thelbësore për qytetin të trajtohet me logjikë përçarëse politike. /Kosova.info/


Go to TOP