Kriza institucionale, analistët: Politikanët të zgjidhin krizën politike

Mosformimi i institucioneve dhe shtyrjet që kanë ndodhur për formimin e institucioneve, e kanë futur vendin në krizë. Kështu vlerësojnë analistët duke u bërë thirrje partive politike që të bëjnë hapa më  të shpejtë që vendi të mos përballet edhe me kriza të tjera që mund të ndodhin si pasojë e krizës politike.

Kosova vazhdon të jetë në krizë institucionale, ndërkohë që po priten hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese. Analistët politikë vlerësojnë se vendi ka mbetur prapa në shumë procese.

“Ne jemi realisht shumë vonë në çdo proces dhe kjo vonesa prej 25 ditësh vetëm se e ka zgjatur më tej këtë vonesën e madhe që e kemi pasur deri tash. Konsideroj që Gjykata Kushtetuese duhet të jetë agjile në kuptimin e gatishmërisë për të dhënë përgjigje për situatën e krijuar. Për një skenë politike është varfërim politik në momentin kur politika merr konotacion domosdoshmërisht të së drejtës në kuptimin që për çdo veprim politik duhet të pyetet Gykata Kushtetuese”, tha Dorajet Imeri për RTK-në.

“E dimë edhe prej pakos së Ahtisarit edhe prej Kushtetutës, pra roli që është vendosur në këtë aspekt të multietnicitetit në Kosovë. Prandaj nuk ka asnjë mënyrë që të procedohet më tutje  përderisa të mos zgjidhet nënkryetari nga ana e pakicës serbe. Çdo vonesë do ta kthejë procesin në pikën zero, do ketë bllokada, prandaj vetëm roli I Gjykatës Kushtetuese do të mund ta sqarojë këtë situatë dhe ta bëjë obligative rikthimin e gjithë procesit për së mbari”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

Sipas tyre, nëse nuk arrihet një dakordim për formimin e shumicës parlamentare, funksionimi i institucioneve mund të jetë në rrezik.

“Nëse nuk ka një dakordësi, në kuptimin nëse nuk arrihen numrat ata e humbin mundësinë për të formuar shumicën e re parlamentare. Kjo do të nënkupton që ata nuk do të kenë asnjë përpjekje të re në raport me AAK-në, asnjë përpjekje të re në raport me PDK-në, më gjasë nuk do të shkojnë me asnjë ftesë të re për LDK-në. Është një pozicion politik i qartë që ka një shkallë të lartë të rrezikshmërisë për të qenë funksional”, shtoi Dorajet Imeri.

“Ky stagnim, kjo bllokadë totale ka shumë humbje në nivelin politik, nivelin ekonomik, nivelin e imazhit, të dobësimit të raporteve me aleatët tanë dhe kjo vetëm sa e kthen Kosovën mbrapa, dhe do të duhet shumë punë për t’u kthyer në pikën ku kemi qenë”, nënvizoi Artan Muhaxhiri.

Gjykata Kushtetuese, pas ankesës së Listës Serbe, vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime, si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re. 

Go to TOP