Kriza globale e ujit dhe ndryshimet klimatike – nga fatkeqësi në mundësi

Autori: Scantv

Vitin e kaluar, me rënien e koronavirusit, bota riktheu në fokus kërcënimin ekzistencial më urgjent – ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike, dhe efektet e tyre shkatërruese në botën ku jetojmë.

Një nga dukuritë kryesore më të prekura në mënyrë kritike nga ndryshimi i klimës është cikli global i reshjeve, që rezulton në më pak shi, më shumë thatësira dhe ngjarje ekstreme shiu që sjellin me vete më shumë shkatërrim sesa bekime.

Ne besojmë se zgjidhjet inovative teknologjike për krizën e ujit mund të jenë një pjesë qendrore e trajtimit të krizës klimatike, si për përshtatjen ashtu edhe për zbutjen e saj.

Lidhja e ngushtë midis krizës së ujit dhe krizës klimatike u vu në dukje në deklaratën përmbledhëse të COP 27 dhe do të jetë një temë qendrore në Konferencën e Ujit të OKB-së që do të hapet në Ditën e ardhshme të Ujit, më 22 Mars, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Ndërkohë që shumë vende në botë kanë ende akses të plotë në ujin e pastër të rubinetit, në shumë të tjera, ky akses është i kufizuar dhe pothuajse nuk ekziston.

Vlerësohet se rreth 2.5 miliardë njerëz (36 përqind e popullsisë së botës) jetojnë në zona me mungesë uji, një fenomen që pritet të përkeqësohet në dekadat e ardhshme si pasojë e proceseve të fuqishme të ndryshimeve klimatike, rritjes së popullsisë globale, rritjes së kërkesës për prodhimet industriale dhe bujqësore dhe shkretëtirëzimi do të intensifikohet. Mungesa e ujit po shkakton migrim, luftëra dhe konflikte, duke i vendosur qindra miliona njerëz në mbarë botën në rrezik zhvendosjeje për shkak të mungesës së ujit gjatë viteve të ardhshme.

Për të kapërcyer këtë fenomen dhe për të parashikuar një kurë për këtë sëmundje, duhet të kuptojmë se kjo do të kërkojë formulimin e një fushate gjithëpërfshirëse e cila do të kërkojë që të gjithë hapat e nevojshëm të integrohen së bashku, si p.sh: Udhëzimi dhe edukimi për ruajtjen e ujit; rritje të efikasitetit të përdorimit të ujit; grumbullimin e fondeve ndërkombëtare, publike dhe private; rehabilitimin e burimeve të ujit të ndotur; inkurajimin për investime dhe Kërkim – Zhvillimin dhe mbi të gjitha, për të mësuar se si të praktikojmë menaxhimin e mirë të ujit në shkallë lokale, kombëtare, rajonale dhe globale.

Ne duhet të eksplorojmë qasje të reja drejt investimit në infrastrukturat dhe shërbimet e lidhura me ujin dhe kanalizimet, duke garantuar njëkohësisht të drejtën e çdo personi për ujë të pijshëm të sigurtë. Është e rëndësishme që theksi të vihet në disponueshmërinë dhe shkëmbimin e informacionit për sasinë, cilësinë, shpërndarjen dhe aksesin në ujë, si dhe për rreziqet dhe përdorimin e atij uji.

Në këtë drejtim, Izraeli mund t’i japë një kontribut të rëndësishëm botës si një vend me një nga sistemet më të avancuara të ujit në botë dhe me një bollëk teknologjish inovative dhe të Kërkim – Zhvillimit në shumë fusha. Një shembull është trajtimi dhe riciklimi i ujërave të zeza: Izraeli mban një rekord botëror në këtë fushë, me 95 përqind të ujërave të zeza të tija të trajtuara nga të cilat pothuajse 90 përqind përdoren në bujqësi.

Një fushë tjetër në të cilën Izraeli mban një rekord botëror është parandalimi i humbjes së ujit në sistemet urbane. Ndërkohë që në Izrael humb vetëm një përqindje e vogël e ujit në sistemet e furnizimit urban, në vendet të tjera të botës, kjo normë mund të arrijë në dhjetëra përqind. Paradoksi është se këto janë shpesh vende të thata dhe me mungesë uji, për të cilat mungesa e ujit në dispozicion paraqet një barrë të konsiderueshme. Një shumëllojshmëri e gjerë teknologjish dhe metodash janë zhvilluar në Izrael për të parandaluar humbjet e ujit në sistemet e furnizimit, për të zbuluar rrjedhjet përmes sensorëve në distancë dhe më shumë.

Nëse kjo do të ishte status quo-ja në të gjithë botën, do të mundësohej reduktimi dhe parandalimi në masë të madhe i ndotjes së mjedisit dhe shkatërrimit të sistemeve natyrore, duke lejuar që uji i trajtuar dhe i pastruar të rikthehet në natyrë dhe në bujqësi. Do të ishte e mundur që në të njëjtën kohë të zvogëlohej emetimi në shkallë të gjerë i gazeve serrë, të ngrihej elasticiteti bujqësor ndaj rasteve klimatike, të lejohej më shumë ujë në natyrë për sistemet natyrore – të cilat thithin natyrshëm gazrat serrë – për të funksionuar më mirë, për të parandaluar shkatërrimin e panevojshëm të sistemeve ekologjike si rezultat i ndotjes ose mungesës së ujit, dhe shumë më tepër.

Shkripëzimi i ujit të detit, përdorimi i ujit të njelmët në bujqësi, ujitja me pika, zhvillimi i varieteteve bujqësore që konsumojnë më pak ujë, madje edhe nxjerrja e ujit nga ajri, janë të gjitha fusha që zhvillohen në Izrael.

Ne në Izrael jemi në gjendje dhe të gatshëm të ndajmë njohuritë tona të grumbulluara dhe praktikat më të mira me kombet e tjera anembanë botës, në mënyrë që së bashku, të sigurojmë që çdo individ në mbarë globin të jetë në gjendje të gëzojë të drejtën thelbësore të njeriut për ujë të sigurtë dhe të pastër.

Uji është Jetë!

Go to TOP