Krishtlindja – histori, mrekulli dhe dashuri 

Shkruan: Dr. Don Lush GJERGJI

Historia e njerëzimit ndahet në dy pjesë themelore: para dhe pas Krishtit. Pyetja kryesore është kjo: çka ka ndryshuar me lindjen, ardhjen, mishërimin e Jezu Krishtit prej Virgjërës Mari në shpellën e Betlehemit? Shumë, gjithçka, pasi Zoti dhe Njeriu nuk janë më të largët, të panjohur, armiq, por afër – bashkë, sepse Ai erdhi për ta ndërruar, përmirësuar, pajtuar njeriun me Zotin, të afërmin, vetveten. Më  njeriu nuk është më vetëm njeri, por edhe më shumë, Vëlla apo Motër, në Krishtin parafytyrim i vetë Zotit, pasi Ai është identifikuar me çdo njeri 

Më nuk ka njerëz të privilegjuar, sundimtarë, dhe njerëz të nënshtruar dhe robëruar, gjësend, objekt, që mund të shiten dhe të blihen.  

Nuk ka hebrenj – grekë! Nuk ka më skllav – i lirë! Nuk ka më mashkull – femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 3, 28), bij apo bija të Zotit, të lirë, përgjegjës për vetveten, njëri-tjetrin, të frymëzuar dhe të motivuar nga e Vërteta dhe Dashuria.  

Mirëpo historia fatkeqësisht përsëritet. “Në bujtinë nuk pati vend për ta” (Lk 2, 7, flitet për Marinë shtatzënë dhe  për Jozefin në Betlehem. Edhe sot shumë njerëz janë të mbyllur, të ngujuar dhe të robëruar prej materializmit, konsumizmit, hedonizmit, relativizmit dhe ateizmit praktik, kështu që në jetën, zemrën, ndërgjegjen e tyre, nuk ka vend për Zotin – Dashuri dhe për Vëllain apo Motrën – Njeri, si do të thoshte Shën Nëna Tereze. 

“Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta, për të ruajtur grigjën e vet”(Lk 2, 8), kategoria e parë, e thjesht, e varfër, që njihet me këtë risi të madhe, lindjen e Jezu Krishtit. Ata rrinë të zgjuar, domethënë i kanë sytë, veshët, mendjen dhe zemrën e hapur për t’i njohur dhe plotësuar nevojat e grigjës, kërkesat e tjerëve. Shumë njerëz edhe sot janë në gjumë, në kllapi, në komë,  të egoizmit dhe indiferentizmit, të robëruar nga lakmia, suksesi, pasurimi, nami dhe fama, në “kurriz” të tjerëve. 

Barinjët thanë: “Ejani të shkojmë, pra,  deri në Betlehem, e të shohim çka ndodhi – ngjarjen që na e kumtoi Zoti” (Lk 2, 15). Vëllazërisht dhe bashkarisht jemi në udhëtim kah Betlehemi – amshimi, në bashkëndarje të jetës dhe punës me njëri-tjetrin. 

“U treguan çka u tha engjëlli për Foshnjën”(Lk 2, 17), pra, janë bartës, shpallës, lajmëtar dhe dëshmitarë të Ungjillit, Lajmit të Mirë për të tjerët, për të gjithë njerëzit e mendjes dhe zemrës së mirë dhe të hapur për risi. 

“Maria i mbante  mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet” (Lk 2, 19). Ne sot rrezikojmë ta harrojmë historinë, të kaluarën, t’i harrojmë gjerat e bukura dhe të mrekullueshme, ndërsa t’ i mbajmë në mend dhe në zemër vetëm gjërat e këqija dhe negative. Na udhëheq urrejtja, jo e vërteta, dashuria dhe falja. 

 Ja si e përjeton dhe i këndon Nëna jonë Tereze Krishtlindjes: 

Çdo herë është Krishtlindje 

kur i buzëqeshësh vëllait 

dhe atë e mbanë përdore. 

Çdo herë është Krishtlindje 

kur je në heshtje 

për ta dëgjuar tjetrin. 

Çdo herë është Krishtlindje 

kur nuk i pranonin parimet 

që helmojnë të ndrydhurit 

në anësimet e shoqërisë. 

Çdo herë është Krishtlindje 

kur shpreson në të dëshpëruarit 

në varfëri fizike dhe shpirtërore. 

Çdo herë është Krishtlindje 

kur pranon me përvujtëri 

kufizimet dhe dobësitë tua. 

Çdo herë është Krishtlindje 

kur ia mundëson Zotit 

për të rilindur ne ty dhe për t’ua dhuruar tjerëve. Shën Nëna Tereze Bojaxhiu 

Shkup, 23 dhjetor 2022                                   

Pritja solemne për Krishtlindje në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) 

Go to TOP