Kremlini thotë se Perëndimi po bën thirrje që Ukraina ta sulmojë Rusinë
Vendet perëndimore janë duke bërë thirrje hapur që Ukraina ta sulmojë Rusinë, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtmë të Rusisë, shkruan BBC.
Duke folur pasi një ministër i Mbretërisë së Bashkuar tha se sulmet ukrainase ndaj objektivave ruse ishin legjitime, ajo paralajmëroi se Perëndimi duhet t’i marrë seriozisht zotimet e Moskës për t’iu përgjigjur sulmeve në territorin e saj.
Komentet e saj vijnë pasi Rusia raportoi për shpërthime të shumta dhe për zjarr në një depo municioni dje në jug të vendit. Ky incident ishte më i fundit nga një seri incidentesh të përshkruara nga një zyrtar i lartë ukrainas si “karma”.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace i tha BBC-së se ishte e drejtë që Ukraina të godiste objektivat ruse në vetëmbrojtje.
“Nëse Ukraina do të zgjidhte të synonte strukturën logjistike të ushtrisë ruse, kjo do të ishte legjitime sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Wallace.
Në fillim të kësaj jave, një tjetër ministër i Mbretërisë së Bashkuar tha se do të ishte legjitime që Ukraina të përdorte armë të furnizuara nga Perëndimi në tokën ruse.
