Krasniqi: Vuçiqi po nxit destabilizim në Ballkan, ndërsa perëndimi hesht
Profesori universitar dhe analisti Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq duke e akuzuar se po e rrezikon sigurinë në zemër të Evropës, ndërsa liderët botërorë në Konferencën e Sigurisë në Munih po qëndrojnë në heshtje.
Krasniqi ka theksuar se Vuçiqi, gjatë vizitës së tij në Banja Llukë, ka avancuar projektin e “Botës Serbe” me Milorad Dodikun, duke synuar shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja, në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.
“Personi që në vitet ’90 deklaronte se për një serb të vrarë do të vriteshin 100 boshnjakë, tash punon hapur për shkatërrimin e Bosnjës,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se Vuçiqi po kërkon të shpallë një “luftë të re civile” në Vojvodinë duke e përdorur si pretekst një plan të rremë për separatizëm. Sipas Krasniqit, ky skenar ka për qëllim të shmangë protestat studentore dhe qytetare kundër regjimit të tij.
“Meqë NATO i ka ndaluar lojërat në veriun e Kosovës, Vuçiqi tani po kërkon destabilizim në Bosnje dhe Serbi,” ka përfunduar Krasniqi duke ironizuar se liderët e konferencës në Munih mund ta shohin me dylbi nga afër krizën e re që po krijon Vuçiqi në Ballkan. /Kosova.info/
