Krasniqi: Ulpiana meriton një muze të hapur në Prishtinë

Publicisti dhe profesori Milazim Krasniqi ka propozuar një ide konkrete për promovimin dhe afrim më të madh të trashëgimisë kulturore të qytetit antik Ulpiana me qytetarët e Prishtinës dhe vizitorët.

Në një reagim publik, Krasniqi tha se nëse do të ishte kryetar i Komunës apo Ministër i Kulturës, një hapësirë në lagjen Ulpiana të Prishtinës do ta shndërronte në një muze të hapur, ku do të ekspozoheshin disa nga eksponatet e qytetit antik Ulpiana.

“Këtu prishtinasit dhe turistët do të mund të mësonin për qytetin antik të Ulpianës. Bile edhe nxënësit do të mund të merrnin edukim me vizita në orët e historisë, siç bëjnë në botë”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, ndërkohë që baza e qytetit antik duhet të mbetet në vendndodhjen aktuale, mungesa e infrastrukturës rrugore dhe e ofertës serioze turistike bën që shumë pak njerëz ta vizitojnë atë vend.

Ai thekson se krijimi i një muzeu të hapur në zemër të Prishtinës do të ishte një zgjidhje funksionale dhe edukative për të ndërlidhur më shumë publikun me trashëgiminë antike që i takon kryeqytetit dhe Kosovës në tërësi.

Ky propozim është një thirrje për institucionet kulturore dhe vendimmarrëse që të rrisin vëmendjen ndaj trashëgimisë kulturore, përmes zgjidhjeve kreative dhe të qasshme për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP