Krasniqi: Prishtina nuk ka nevojë për masa elektorale, por për transport publik modern

Vendimi i kryetarit aktual të Prishtinës për të liruar nga pagesa e Trafikut Urban disa kategori qytetarësh, mund të duket si ndihmë e menjëhershme, por i marrë vetëm pak ditë para zgjedhjeve shihet më shumë si manovër elektorale sesa si strategji afatgjatë.

Kështu u shpreh kandidati për kryetar të kryeqytetit nga Iniciativa Qytetare “Prishtina në Dorën Tënde”, Dr. Agim Krasniqi, i cili tha se qytetarët e Prishtinës nuk kanë nevojë për masa të përkohshme që përfundojnë me ditën e votimit, por për një transport publik modern, funksional dhe të qasshëm për të gjithë.

“Prishtina ka nevojë për autobusë të rinj, shërbim të rregullt dhe planifikim urban që vendos qytetarin në qendër. Nuk mund të mjaftohemi me masa sporadike e afatshkurtra, sepse ato nuk e zgjidhin problemin real të transportit,” theksoi Krasniqi.

Ai nënvizoi se për një kryeqytet evropian si Prishtina, transporti publik duhet të jetë pjesë e një vizioni të qartë zhvillimor, jo i një fushate elektorale. /Kosova.info/


Go to TOP