Krasniqi pas takimit me Kallas: PDK e gatshme për zgjidhjen e krizës dhe avancimin e rrugës evropiane të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, znj. Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë.

Në këtë takim, Krasniqi ka diskutuar me znj. Kallas rreth zhvillimeve politike në vend duke theksuar nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe progres konkret në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se PDK ka dhënë dhe vazhdon të ofrojë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës politike që po e përballon vendi, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së interesit qytetar dhe shtetëror.

“PDK mbetet e gatshme të japë kontribut për stabilitet dhe të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës,” tha Krasniqi duke kërkuar gjithashtu angazhimin e znj. Kallas për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte një sinjal pozitiv për rrugëtimin evropian të vendit dhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Krasniqi ritheksoi përkushtimin e PDK-së ndaj vlerave perëndimore, partneritetit me miqtë ndërkombëtarë dhe avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai falënderoi znj. Kallas për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që ajo dhe BE-ja i ofrojnë Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP