Abdixhiku takon Kaja Kallas në Prishtinë: Heqja e masave dhe qeveria gjithëpërfshirëse, thelbësore për të ardhmen euroatlantike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Përfaqësuesen e Lartë të BE-së dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Prishtinë.
Në këtë takim, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duke vënë në pah se ato nuk po e dëmtojnë vetëm Qeverinë, por mbi të gjitha qytetarët e vendit. “Këto masa më shumë se një Qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës,” theksoi ai.
Gjithashtu, kreu i LDK-së ndau me znj. Kallas pikëpamjet e partisë së tij për procesin e dialogut Kosovë–Serbi dhe për të ardhmen politike të vendit. Ai e informoi për krizën aktuale politike dhe paraqiti propozimin e LDK-së për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, të cilën e konsideron si opsionin e vetëm funksional në rrethanat aktuale.
“Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik dhe guxim vendimmarrës,” u shpreh Abdixhiku duke shtuar se Kosova ka nevojë për një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme konkrete për qytetarët e saj.
Vizita e znj. Kaja Kallas vjen në një kohë vendimtare për marrëdhëniet Kosovë–BE, ndërsa zhvillimet politike të brendshme dhe dialogu me Serbinë mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. /Kosova.info/
