Krasniqi: Kjo festë na kujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit, për çka tha se kjo festë e paqes na i kujton posaçërisht ata që janë në nevojë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka uruar që kjo ditë të sjellë rehati e begati në familjen e secilit.

“Kurban Bajrami, si një festë e paqes, na e rikujton gjithmonë rëndësinë e faljes, solidaritetit e kujdesit për njëri-tjetrin, posaçërisht për ata më në nevojë. Gjithmonë kanë qenë këto vlera që i kanë begatuar jetërat tona, por edhe kanë ndihmuar përparimin e popujve dhe mbarë njerëzimit”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka thënë se edhe sot e tutje, le të jenë këto atribute që na prijnë në rrugën drejt realizimit të aspiratave dhe ëndrrave tona të reja si individë, si shoqëri dhe si shtet.

“Uroj që kjo ditë e veçantë të ju sjellë rehati, begati dhe lumturi në jetën tuaj dhe të familjeve tuaja. Gëzuar Kurban Bajramin!”, ka përfunduar Krasniqi urimin e tij. /Kosova.info/

Go to TOP