Krasniqi: Jemi në një situatë absurde, nëse s’ka zgjidhje, duhet zgjedhje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka komentuar situatën aktuale politike dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se masa është vendosur eks officio nga gjykata dhe jo me kërkesë të tyre, por është në të drejtën e gjykatës që ta marrë një vendim të tillë.
“Është masë që e ka vendos gjykata eks officio, ne s’e kemi kërkuar atë masë, por është në të drejtën e tyre dhe po besoj që ka një arsye të cilën nuk mund ta paragjykoj unë. Cila mund të jetë arsyeja, ndoshta është diçka që do ta kuptojmë në momentin kur të publikohet aktgjykimi final,” u shpreh ai.
Krasniqi theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë “sikur një tavolinë suedeze” që dikush zgjedh cilat të zbatohen dhe cilat jo.
“Ne e kemi thënë gjithmonë: vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë sikur një tavolinë suedeze që disa i zgjedhin me i implementu e disa s’i zgjedhim se nuk na pëlqejnë. Ne jemi të obliguar që t’i zbatojmë, dhe ajo që tashmë po dihet është që kanë mbetur më pak se 48 orë për sa i përket mundësisë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, bazuar në aktgjykimin e kaluar.”
Ai shtoi se mbetet të shihet se çfarë do të thotë gjykata në aktgjykimin e ardhshëm që është dërguar nga partia e tij, duke shpresuar që të publikohet sa më parë.
“Dëshira jonë ka qenë që kjo të ndodhë tashmë, që të ketë një aktgjykim të publikuar para se të skadojë afati, në mënyrë që të kenë të qartë edhe deputetët se cilat janë pasojat apo cilat janë veprimet, por është në të drejtën e tyre. Po presim, shpresoj që të publikohet para datës tetë, me qenë se masa është nga 27 korrik deri më 8 gusht.”
Krasniqi e ka cilësuar situatën si absurde, duke theksuar se askush nuk e ka paramenduar këtë ngërç politik që po vazhdon prej muajsh.
“Jemi në situatë absurde që s’e ka paramendu askush, me qenë se kanë kaluar muaj e muaj, jo vetëm nga zgjedhjet e fundit po edhe nga fillimi i seancës konstituive, dhe bllokada politike e cila po na e imponon Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon. Tashmë edhe afati po ezaurohet dhe ka paqartësi për hapat e mëtejmë.”
Ai ka theksuar se zgjedhjet e 9 shkurtit do të duhej të kishin prodhuar institucione të dala nga vullneti i qytetarëve dhe ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për sjellje autokratike.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit do të duhej të ishin që prodhojnë institucione të cilat burojnë nga vullneti që qytetarët e kanë dhënë, dhe ne e kemi atë vullnet që mos t’i kthehemi. Në mënyrë shumë të thjeshtë, qytetarët e Kosovës kanë treguar që nuk e durojnë më sistemin monist që e ka instaluar Vetëvendosja (sundimin njëpartiak), sepse kjo ma shumë ka qenë tendencë për sundim sesa për qeverisje.”
Sipas Krasniqit, nëse nuk ka zgjidhje, kthimi në zgjedhje është i pashmangshëm, edhe pse i lodhshëm.
“Me qenë se kjo nuk ka ndodhë ndonjëherë, nuk është e jashtëzakonshme që t’i kthehemi kutive të votimit, përkundër që do të ishte e mundimshme, sepse ne kemi edhe zgjedhjet lokale me datën 12 tetor, pastaj kemi edhe raundin e dytë të balotazhit dhe një proces tjetër zgjedhor do të ishte i mundimshëm, por në fund të fundit demokracia funksionon kështu. Nëse imponohet për shkak të kryeneçësisë së një partie që ka dalë e para, atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje.”
Krasniqi ka thënë se zgjedhjet do të duhej të ishin mbajtur më herët për të shmangur këtë krizë politike që po dëmton qytetarët.
“Më mirë të kishim shkuar më herët në zgjedhje, sepse unë kam kërkuar për arsye se e kam parë këtë situatë qysh në fund të prillit dhe kam propozuar datën 15 qershor ose 22 qershor. Do të më vinte shumë keq nëse imponohen të mbahen zgjedhjet tash, sepse të paktën e kishim kursyer disa muaj qytetarët nga kjo bllokadë, e cila është duke e dëmtuar secilin qytetar dhe secilën familje, sidomos në kuptimin ekonomik”, tha ai.
