Krasniqi: E drejta për Kryetarin e Kuvendit mund t’i kalojë një subjekti tjetër në mungesë të propozimit
Eksperti i çështjeve zgjedhore nga Democracy Plus, Albert Krasniqi, ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka interpretuar se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit i takon subjektit me më shumë deputetë pas zgjedhjeve. Megjithatë, ai vë në pah se Kushtetuta nuk e përcakton qartë nëse kjo e drejtë mbetet e vlefshme në rast se subjekti nuk paraqet një kandidat.
Duke kujtuar rastin e vitit 2014, kur PDK propozoi Agim Aliun si Kryetar të Kuvendit, Krasniqi thekson se bllokimi i institucioneve nuk është i lejuar dhe se monopoli në emërimin e mandatarit për Kryeministër ishte refuzuar më herët.
Ai argumenton se një e drejtë e papërdorur mund të humbasë dhe se një interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese duhet të lejojë që, në mungesë të një kandidature brenda një afati të arsyeshëm, kjo e drejtë t’i kalojë një subjekti tjetër politik që siguron numrat për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. /Kosova.info/
