Krasitja e pemëve, në fazën përfundimtare në Dukagjin
Pranvera ka sjellë punë edhe për pemëtarët, të cilët tashmë kanë nisur krasitjen e pemëve, gëlqerosjen e trungjeve dhe përgatitjet e tjera sezonale. Ekspertët e kësaj fushe thonë se kjo është periudha e fundit për pemëtarët që t’i përfundojnë këto procese të domosdoshme.
Këto ditë pemëtarët e Dukagjinit po e shfrytëzojnë motin me diell për krasitjen e pemëve.
Esat Kukalaj nga Drenoci i Deçanit thotë se toka pjellore dhe kushtet klimatike në këtë zonë janë shumë të favorshme për kultivimin e pemëve, mirëpo sipas tij shqetësues mbetet fakti se me këtë veprimtari po merren gjithnjë e më pak fermerë.
“Kjo pemishte është rreth 10 hektarë dhe kultivojmë kryesisht mollën. Cilësia e mollës këtu është shumë më e mirë se në disa zona të tjera. Me pemëtari merremi që nga viti 1981, por fatkeqësisht kjo veprimtari është duke u zhvilluar shumë pak. Në fakt, sipërfaqet duhet të trefishohen, sepse është një veprimtari shumë profitabile. Aktualisht nuk po i plotësojmë kërkesat e tregut”, thotë Kukalaj.
Sipas pemëtarëve, kjo periudhë është shumë e përshtatshme edhe për trajtime të tjera në pemishte, si gëlqerosja e trungjeve, spërkatja dhe plehërimi pranveror.
“Krasitjen e kemi përfunduar, ndërsa plehërimin e kemi bërë me kohë. Sot po e përfundojmë edhe gëlqerosjen e pemëve. Në total pemishtet janë rreth 6 hektarë e 30 ari: 1 hektar e 30 ari me lajthi, rreth 1.5 hektarë me arra, 3.3 hektarë me kumbulla dhe një bahçe të përzier prej rreth 50 ari”, deklaron pemëtari Bekë Lokaj.
Njohësit e agronomisë thonë se kjo është periudha e fundit për përmbylljen e këtyre proceseve në pemëtari.
“Janari, shkurti dhe marsi janë muajt e krasitjes së pemëve. Sivjet kemi një vegjetacion më të hershëm, prandaj në disa raste jemi vonuar pak me krasitjen, por kjo nuk pritet të ndikojë në frytdhënie. Çdo lloj peme ka specifikat e veta të krasitjes. Në këtë pemishte kurora tashmë është e formuar, prandaj bëhet vetëm mirëmbajtja përmes krasitjes”, tha ndërkaq agronomi Bajram Çeku.
Sipas statistikave, në komunën e Deçanit janë rreth 150 hektarë me mollë, ndërsa në nivel vendi sipërfaqja me këtë kulturë nuk i kalon 3000 hektarë.
