Kovac flet para ndeshjes me Lille, “Dortmund po përmirësohet”

Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, ka pranuar se skuadra e tij është ende në proces përmirësimi, pavarësisht gjetjes së formës së fundmi.

Skuadra po përgatitet për përballjen e së martës kundër Lille në Champions League. 

Finalistët e sezonit të kaluar në Champions League po përballen me një edicion të vështirë në Bundesliga, ku aktualisht renditen në vendin e dhjetë të dhe rrezikojnë të mbeten jashtë garave evropiane sezonin e ardhshëm.

Kovac, i cili e ka marrë drejtimin e ekipit pas shkarkimit të Nuri Sahin në janar, ka arritur të sjellë një farë stabiliteti. Dortmund ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat fundjavën e kaluar kundër St. Paulit, që ishte vetëm triumfi i dytë në transfertë këtë sezon.

Ish-trajneri i Bayern Munich, Eintracht Frankfurt dhe Monaco ka theksuar se ekipi po ecën në drejtimin e duhur, por ka ende punë për të bërë:

“Jemi bërë më të qëndrueshëm, punojmë shumë çdo ditë në stërvitje dhe në analizat taktike”, ka thënë Kovac në konferencën për shtyp të së hënës. “Gjërat po shkojnë mirë, por ka ende hapësirë për përmirësim. Jemi ende larg nivelit që duam të arrijmë, por më pëlqen përkushtimi i lojtarëve”. 

Dortmundi ka humbur vetëm një nga 16 ndeshjet e fundit në “Westfalenstadion”, një faktor që Kovac shpreson ta shfrytëzojë ndaj Lille:

“Stadiumi ynë është si një kështjellë e madhe. Është shumë e vështirë të luash këtu, një terren sfidues për çdo kundërshtar”, ka shtuar ai. “Shpresoj që të përfitojmë nga atmosfera për të bërë një paraqitje të fortë ndaj Lille”.


Go to TOP