Kosovë, promovohet Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e Katalogut të Ekspozitës Arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Në këtë ceremoni Kryeministri Kurti vlerësoi repertorin e pasur arkeologjik të artefakteve dhe eko-fakteve të Muzeut Kombëtar. Ai theksoi faktin që ky thesar vazhdon të jetë i paplotë dhe se mbase pjesa më e rëndësishme e koleksionit tonë arkeologjik, sot nuk gjendet as në Muzeun Kombëtar, as në muzetë e tjera publike të Kosovës. Qindra artefakte të koleksionit tonë arkeologjik e qindra të tjera të koleksionit etnografik vazhdojnë të mbahen në muzetë e Beogradit.

“Ndonëse kanë kaluar 23 vjet, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi. Artefaktet tona janë marrë me qëllim ekspozimi të përkohshëm, por në rrethana të luftës. Reversët e nënshkruara nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë, ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare, “ tha Kryeministri Kurti.

Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike” me autor Milot Berishën dhe Arben Hajdarin, paraqet një repertor të pasur arkeologjik të artefakteve dhe eko-fakteve që datojnë nga epoka e neolitit, e deri te mesjeta e vonë, kohë kjo rreth tetë mijë vjeçare. /Kosova.info/

Go to TOP