Kosovarët në Bosnjë me viza, boshnjakët në Kosovë me letërnjoftime – Opozita kërkon reciprocitet
Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim për lëvizje të lirë për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2025. Nga 1 janari, qytetarët e Bosnjës mund të hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftime, ndërsa qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me viza për të hyrë në Bosnje. Ky vendim është pritur pozitivisht nga përfaqësues të pozitës, por është kritikuar nga opozita si i padrejtë dhe i ngutshëm.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi njoftoi se, pavarësisht refuzimit të entitetit Republika Srpska për ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit, Kosova është e para në rajon që miraton një marrëveshje të tillë në Parlament. Ajo theksoi rëndësinë e vendimit për forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe lehtësimin e bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar si një hap strategjik në përputhje me Procesin e Berlinit dhe integrimin evropian.
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës, si deputetët Xhavit Haliti nga PDK dhe Time Kadrijaj nga AAK, e kritikuan vendimin për mungesën e reciprocitetit dhe mosdiskutimin e tij në Qeveri dhe Kuvend. Ata argumentuan se Bosnja nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët kosovarë duhet ende të pajisen me viza për të udhëtuar atje, gjë që e bën vendimin të padrejtë.
Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, priti reflektim nga Bosnja, por shprehu dyshime për ndikimin e vendimit në përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
