Kosova U19 mbyll Botërorin me humbje

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll e ka përfunduar të premten paraqitjen në Kampionatin Botëror “Egjipti 2025” duke u renditur në vendin e njëzet e katërt nga tridhjetë e dy përfaqësuese pjesëmarrëse.

Në ndeshjen për vendin e njëzet e tretë, djemtë kosovarë janë mposhtur nga Bahreini pas penalltive, me rezultatin e përgjithshëm 33:31.

Loja ka qenë e fortë dhe e barabartë, por në mesin e pjesës së parë Kosova ka mbetur pa kapitenin Olsi Mulaj, i cili është përjashtuar me karton të kuq pasi kishte realizuar pesë gola. Ky moment ka ndikuar që Bahreini të shkëputej me katër gola epërsi në pjesën e parë.

Megjithatë, në pjesën e dytë ekipi kosovar ka reaguar duke ngushtuar diferencën dhe në sekondën e fundit e ka barazuar rezultatin 29:29 me golin e Suad Pajaziti nga penalltia. Në serinë e penalltive, Bahreini ka qenë më i saktë duke fituar 4:2.

Drijon Istefi është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes me gjashtë gola, ndërsa Pajaziti ka shënuar tetë dhe Amar Muqolli shtatë. /Kosova.info/


Go to TOP