Kosova pret mbi 600 pjesëmarrës nga 45 shtete në turnetë ndërkombëtarë të pingpongut, përfshirë edhe 12 vende që nuk e njohin pavarësinë
Federata e Pingpongut e Kosovës është në përgatitjet finale për të mirëpritur dy nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij sporti – WTT Youth Contender dhe WTT Feeder – që do të zhvillohen për herë të parë në Kosovë. Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë: rreth 600 pjesëmarrës nga 45 shtete, përfshirë sportistë elitarë, trajnerë, gjyqtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të organizatës botërore të pingpongut, World Table Tennis (WTT).
Përveç shteteve që tradicionalisht marrin pjesë në gara të tilla, në mesin e pjesëmarrësve janë 12 vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, çka vlerësohet si një sukses i rëndësishëm diplomatik dhe sportiv. Kjo pjesëmarrje përforcon mesazhin se sporti ka fuqinë të tejkalojë barrierat politike dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi mes popujve.
“Kjo është një arritje e madhe për vendin tonë, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në promovimin ndërkombëtar të Kosovës si vend mikpritës dhe i hapur për bashkëpunim,” thuhet në komunikatën e Federatës së Pingpongut të Kosovës.
Turnetë WTT në Prishtinë pritet të sjellin emocione të veçanta për publikun vendas dhe të ofrojnë një mundësi të artë për sportistët kosovarë që të matin forcat me emra të mëdhenj të pingpongut botëror. Eventi do të ketë jehonë të gjerë në arenën ndërkombëtare dhe do të shërbejë si shembull se si sporti mund të kontribuojë në ndërtimin e imazhit të Kosovës në botë. /Kosova.info/
