Kosova pa Edon Zhegrovën dhe Milot Rashicën kundër Zvicrës
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar se ylli i krahut sulmues, Edon Zhegrova, nuk do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 kundër Zvicrës, që zhvillohet më 5 shtator.
Foda tha se ka vendosur ta lirojë lojtarin, pasi Zhegrova është në proces të finalizimit të transferimit të tij te gjiganti italian, Juventusi. “Ai ka pasur nevojë për kohë për shkak të procedurave të transferimit. Është një hendikep për ne, por në këtë rast është dashur të kemi mirëkuptim për lojtarin,” u shpreh trajneri.
Ai gjithashtu foli edhe për mungesën e Milot Rashicës, të cilën e cilësoi si po aq të rëndësishme dhe të vështirë për t’u zëvendësuar. Megjithatë, Foda theksoi se në skuadër ka lojtarë të tjerë të gatshëm për të marrë përgjegjësinë.
“Sigurisht që mungesa e Rashicës është vështirë e zëvendësueshme, por kemi emra të tjerë që mund të aktivizohen dhe jam i bindur se do të bëjnë mirë,” tha ai.
Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës pritet të jetë një nga sfidat më të forta të grupit, me rëndësi të madhe për ecurinë e Dardanëve në kualifikimet për Botërorin 2026. /Kosova.info/
