Koreja e Veriut dislokon 250 raketahedhës në kufi

Koreja e Veriut ka dislokuar 250 raketahedhës balistikë në kufijtë jugorë, teksa lideri Kim Jong Un i ka përshkruar këto armë si “shpatë e fuqishme dhe e çmuar” për të mbrojtur sovranitetin e shtetit të tij.

Raketahedhësit u shfaqën gjatë një ceremonie “transferimi” në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, të dielën, raportoi më 5 gusht media shtetërore verikoreane.

Raketahedhësit janë “armë të përditësuara për sulme taktike”, citohet të ketë thënë Kim.

Kjo është hera e parë që Koreja e Veriut bëri publike numrin e armëve të transferuara në kufi, tha për AFP-në, Han Kwon-hee, nga Shoqata koreane e Studimeve të Industrisë së Mbrojtjes.

Këto lloje raketahedhësish janë të dizajnuar të mbajë katër raketa, tha Han, duke shtuar se furnizimi me armë i Phenianit për Moskën “mund të ketë ndërhyrë në aftësitë e Veriut që të arrijë të prodhojë 1.000 raketa”.

Raportet mes dy Koreve janë në pikën më të ulët në vitet e fundit, përderisa Veriu ka intensifikuar testimin e armëve dhe lëshimin e balona, të mbushura me mbeturina, drejt Jugut.

Koreja e Jugut është kundërpërgjigjur duke transmetuar propagandë afër kufirit dhe duke rinisur stërvitje ushtarake afër kufirit.

Gjatë këtij viti, Pheniani e ka shpallur Seulin “armikun kryesor”, duke hequr dorë nga ribashkimi dhe duke kërcënuar me luftë në rast të shkeljes territoriale.

Kim e pranoi se armët e reja po prezantohen kur shteti po përballet me dëme nga vërshimet. Ai tha se ky është “manifestim i vullnetit të fuqishëm të partisë sonë për të vazhduar me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse”.

Shirat goditën Korenë e Veriut në fund të korrikut dhe mediat në Korenë e Jugut thanë se deri në 1.500 persona mund të kenë vdekur si pasojë e shirave.

Kim ha hedhur poshtë këto raportime, duke thënë se synojnë të prishin imazhin e Veriut, përderisa shteti ka thënë se nuk ka asnjë viktimë si pasojë e shirave.

Gjatë fjalimit, Kim po ashtu tha se shteti “po përballet me ndryshime të rëndësishme dhe strategjike për shkak të transformimit të aleancës të udhëhequr nga Uashingtoni në një bllok ushtarak me bazë bërthamore”, duke shtuar se një gjë e tillë kërkon që shteti i tij të forcojë aftësitë parandaluese.

“Forca e ushtrisë sonë duhet të vazhdojë të përmirësohet”, tha Kim.

Go to TOP