Konjufca: Mbajtja e zgjedhjeve më së shumti i konvenon VV-së, analiza e opozitës është e huqt

Kreu i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se më së shumti mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë i konvenon partisë që ai i takon, Lëvizjes Vetëvendosje.

Konjufca thotë se VV-së i konvenon mbajtja e zgjedhjeve sepse aktualisht udhëheq vetëm me tri komuna dhe se sipas tij rezultati në zgjedhjet e ardhshme për këtë parti do të jetë më i madh.

Ai tha se dy partitë opozitare, LDK dhe PDK do të kenë më pak komuna të fituara në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“LDK-ja dhe PDK-ja do të kenë më pak komuna të fituara në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse do ta shikonim ne në aspektin kalkulativ neve do të na konvenonte mbajtja e zgjedhjeve”, është shprehur Konjufca në Rubikon, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Konjufca ka komentuar edhe analizat e partive politike në vend duke i cilësuar si “totalisht të huqta”.

Analiza e opozitës më duket qesharake. Ata kanë dalë dhe thoshin “VV-ja i mori 100 mijë vota në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Kjo është fuqia e VV-së”. Më pas thoshin “I mori 220 mijë vota në zgjedhjet nacionale, por thoshin shikojeni në zgjedhjet nacionale i ka marrë 220 mijë vota, por në zgjedhjet lokale ajo ra në 100 mijë. Kjo analizë nuk godet askund dhe është totalisht e huqt”, është shprehur Konjufca.

Më tej, i pari i Kuvendit të Kosovës thotë se Vetëvendosje do të dalë me numrin më të madh të komunave të fituara.

“Në zgjedhjet lokale VV do të dalë shumë mirë. VV-ja do të dalë si partia me numrin më të madh të komunave në Kosovë sepse është interesi i qytetarëve të ndodh kështu. Qytetarët kanë qenë duke e shtyrë përpara principin ndaj luftës kundër korrupsion dhe nëse kjo nuk kompletohet në nivelin lokal, atëherë edhe qeveria do ta ketë më vështirë”.

Go to TOP