Konferenca “Balkanomics”: Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor kërkon reforma dhe sundim të ligjit

Në Tiranë, përfaqësues të diplomacisë amerikane dhe europiane nxitën Shqipërinë, që përmes reformave, të fuqizojë sektorin privat, për të zhvilluar më shumë ekonominë dhe procesin e anëtarësimit në BE.

Komentet u bënë sot në një konferencë rajonale, ku morën pjesë shumë ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë nga ShBA, BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Diplomatët pohuan se Shqipëria i ka gjithë mundësitë që të përfitojë nga partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

SHBA-të besojnë tek një integrim më i madh rajonal, i cili të sjellë zhvillim dhe rritje në Ballkanin perëndimor, theksoi sot I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e ShBA-ve në Shqipëri, David Wisner, gjatë konferencës rajonale “Balkanomics”.

Ai renditi disa përparime që janë kryer në Shqipëri, nga zbatimi i ligjit, në fushën e energjisë, decentralizimit të saj, si dhe në fusha të tjera, ku ka ndihmuar edhe USAID-i.

“Në Shqipëri veçanërisht ne jemi përqendruar në tre çështje; mbrojtje, demokraci dhe biznes. Tek demokracia, ne jemi të përqendruar dekadën e fundit tek reforma në drejtësi, ku shihet një përparim domethënës, po ashtu edhe në fushën e mbrojtjes është rritur angazhimi i Shqipërisë. Nga ana tjetër bizneset amerikane po ndihmohen nga Dhoma e Tregtisë që të krijojnë partneritete të qëndrueshme në Shqipëri, sepse ne besojmë tek fuqia e sektorit privat, i cili duhet mbështetur”, theksoi zoti Wisner.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, (USAID), po ndihmon Shqipërinë dhe vendet e tjera në Ballkanit Perëndimor për fuqizimin rajonal të ekonomisë, duke bashkëpunuar me sektorin privat, që të rritet konkurrueshmëria e tregut.

Drejtoresha e USAID-it për Shqipërinë, Mischere Kawas, tha se agjencia amerikane e ka si përparësi kryesore të nxitë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

“Strategjia rajonale e USAID-it për Ballkanin Perëndimor është përqendruar në mundësitë ekonomike tek sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë së këtij rajoni. Përmirësimi i financimeve për bizneset e vogla dhe të mesme do të rritë pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin e këtij rajoni. Sektori privat është në qendër të vëmendjes edhe të USAID-it, ku janë drejtuar edhe burimet kryesore me qëllimin që të fuqizohet sektori ekonomik, të rritet tregtia dypalëshe, të gjallërohet integrimi euro-atlantik i Shqipërisë”, tha zonja Kawas.

Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, theksoi se BE-ja është donatori më i madh, ndërsa reformat europiane dhe Plani europian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë të lidhura fort mes tyre, në përpjekje për të ngushtuar boshllëqet që ekzistojnë mes BE-së dhe rajonit, për të cilat nevojiten ndërhyrje të mëdha dhe të vendosura, siç u shpreh ai.

“Dihet se procesi i anëtarësimit në BE është i gjatë dhe teknik. Bazohet në vullnetin politik, por kërkon një punë shumë të madhe për të arritur standardet dhe hyrjen në BE. Plani i Rritjes synon që të afrojë disa përfitime të anëtarësimit para kohe, ndërtimin e një tregu të njëjtë, si dhe financimi me 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë të tjera në kredi favorizuese. Këto kushtëzohen me agjendën e reformave, për të cilat angazhohen qeveritë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, mes të cilave është sundimi i ligjit, afrimi midis tyre”, tha zoti Gonzato.

Ai shtoi se klima e biznesit dhe investimeve përmirësohet sapo ata të sigurohen që sistemi i drejtësisë funksionon dhe korrupsioni luftohet.

Anëtarësimi në Bashkimi Evropian është një proces i ndërlikuar, pohuan diplomatët, edhe pse nis nga qasja se Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe është pjesë e saj.

Përvetësimi i Planit të Rritjes, duke u angazhuar për reformat, pohuan ata, i ndihmon shumë Shqipërinë dhe vendet e tjera, që të përballen me sfidat si sundimi i ligjit, barazia, të drejtat e njeriut, infrastruktura, energjia, dhe hapësirat sociale dhe ekonomike, që ekzistojnë mes BE-së dhe rajonit.

Go to TOP