Komisioni për Bujqësi dhe organizata UN-Habitat nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë dhe organizata UN-Habitat, kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja parasheh bashkëpunimin në zhvillimin e politikave dhe legjislacionit të Kosovës, për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm urban në fushat e planifikimit hapësinor, mjedisit urban, klimën, lëvizshmëri urbane dhe strehim social, strehim të përballueshëm në përputhje me angazhimet transformuese të Agjendës së Re Urbane, Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe lokalizimit të SDG-ve.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli Dalipi dhe shefi i Zyrës së UN-Habitat-it në Kosovë, Omar Siddique.

Kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli Dalipi, tha pas nënshkrimit se qëllimi kësaj marrëveshjeje është sigurimi i një kornize të bashkëpunimit në zhvillimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm urban.  

Ajo tha se përgjegjësitë e komisionit lidhen me sigurimin e ofrimit dhe shkëmbimit të njohurive kur është e mundur dhe e përshtatshme.

Përfaqësuesi i UN-Habitat, Omar Siddique, nga ana e tij, tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, e cila, sipas tij, do të shtyjë përpara zhvillimin qëndrueshëm urban në fushat e planifikimit hapësinor.

Përfaqësues të tjerë të UN-Habitat-it shpalosën në hollësi aspekte të punës së kësaj organizate në fusha të caktuara, të ndërlidhura me marrëveshjen e bashkëpunimit me komisionin gjegjës të Kuvendit. /Kosova.info/

Go to TOP