Kombëtarja në Holandë, nesër ndeshja e fundit kualifikuese
Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka udhëtuar të shtunën për në Holandë.
Hendbollistët tanë ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Euro 2026 e zhvillojnë ndaj favorites së grupit, Holandës, të dielën nga ora 18:00 në ‘s-Hertogenbosch.
Të shtunën pasdite Kombëtarja jonë zhvilloi stërvitjen e fundit në sallën ku luhet ndeshja.
Në Kombëtare ka përkushtim për të dhënë maksimumin në kërkim të suksesit.
Kombëtares sonë i duhet fitorja ndaj Holandës për kualifikim në Evropian, me kusht që edhe Ishujt Faroe të fitojnë ndaj Ukrainës në ndeshjen tjetër të Grupit 6 që zhvillohet të dielën nga ora 18:00.
Ishujt Faroe dhe Holanda tashmë janë kualifikuar në Evropian, ndërsa Ukraina dhe Kombëtarja jonë janë në garë për vendin e tretë.
Ndaj Holandës, Kombëtares sonë i mungon lojtari kryesor i mbrojtjes, Bujar Ramosaj, që ka pësuar lëndim muskular në ndeshjen e së enjtes me Ishujt Faroe.
Në këtë grumbullim, po për shkak të lëndimeve kanë munguar edhe Kastriot Jupa, Lionel Mirdita, Rron Ramadani dhe Shaban Zogaj.
Megjithatë lojtarët tanë kanë premtuar angazhim maksimal për të kompenzuar mungesat dhe për të kërkuar suksesin deri në fund. /Kosova.info/
