Koliqi në Stubëll: Ndjeva fuqinë e bashkimit dhe dashurinë e njerëzve – bashkë do ta bëjmë ndryshimin
Kandidati për kryetar të komunës së Vitisë, Luz Koliqi, ka mbajtur një takim me qytetarët e Stubllës, ku u prit me entuziazëm dhe përkrahje të madhe nga banorët e kësaj treve.
Në fjalën e tij, Koliqi shprehu mirënjohje të thellë për mikpritjen dhe për energjinë pozitive që u ndje gjatë tubimit, duke theksuar se Stublla ka folur me zemër dhe se ai ndjen përgjegjësinë e madhe për ta dëgjuar çdo zë të qytetarëve.
“Sonte ndjeva fuqinë e fjalës, dashurinë e njerëzve dhe shpirtin e bashkimit që e dallon vendin tonë. Çdo duartrokitje dhe çdo fjalë përkrahëse më dha forcë për të vazhduar me besim dhe përkushtim në këtë rrugë që e kemi nisur bashkë,” tha Koliqi.
Ai shtoi se ndryshimi në Viti do të vijë përmes bashkëpunimit, transparencës dhe përkushtimit ndaj nevojave të qytetarëve.
“Bashkë do ta bëjmë ndryshimin që e meritojmë,” përfundoi Koliqi, duke falënderuar qytetarët e Stubllës dhe gjithë komunës së Vitisë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. /Kosova.info/
