Kolgeci: Kualifikimi në Botëror i Kosovës U18 në hendboll arritje e madhe
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, e ka vlerësuar arritje të madhe kualifikimin në Kampionatin Botëror të Kombëtares së Kosovës U18 në hendboll.
Pas triumfit në IHF Trophy Intercontinental kundër Nigerisë, Kombëtarja U18 tani do të përgatitet për pjesëmarrjen në Botërorin e Hendbollit, që do të zhvillohet në Egjipt.
“Ky sukses dëshmon se jemi në rrugën e duhur dhe që e ardhmja e hendbollit kosovar është e ndritur. Për djemtë tanë, ky kualifikim duhet të shërbejë si nxitje për punë edhe më të madhe. Për herë të tretë si federatë do të dërgojmë një ekip kombëtar në Botëror dhe ky fakt, pos mburrjes, është edhe përgjegjësi për punë të vazhdueshme në arritjen e sukseseve të reja dhe më të mëdha,” tha Kolgeci.
Ai gjithashtu falënderoi bashkëpunëtorët për organizimin e turneut, duke veçuar IHF-në, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Komunën e Prishtinës dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen e dhënë. /Kosova.info/
