Koci: Lirohet bashkatdhetari i arrestuar në Serbi
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se një bashkatdhetar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është liruar nga autoritetet serbe pasi ishte arrestuar për shkak të emblemës së UÇK-së në veturën e tij.
Ai tha se bashkatdhetari i liruar është duke u kthyer në Kosovë.
Koci përsëriti thirrjen që bashkatdhetarët të kenë kujdes që të mos kalojnë transit nëpër Serbi me emblema të UÇK-së nëpër veturat e tyre, pasi mund të arrestohen nga autoritetet serbe.
Arrestohet një bashkatdhetar, Koci: Mos kaloni transit nëpër Serbi
Avokati Arianit Koci u ka bërë thirrje qytetarëve të mos kalojnë nëpër Serbi me emblema apo ngjitëse me shkronjat UÇK në vetura, pasi një bashkatdhetar është arrestuar nga autoritetet serbe vetëm pse kanë vërejtur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai e ka quajtur arrestimin e shtetasit nga Kosova, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, si arbitrar dhe juridikisht i pajustifikueshëm, pasi që shprehja e identitetit politik apo historik nuk përbën vepër penale.
“Në këtë rast, këto veprime po përdoren si mjet presioni politik. Raportet ndërmjet shteteve janë të tensionuara. Çmimin po e paguajnë qytetarët e zakonshëm, të cilët mbesin të ekspozuar ndaj veprimeve arbitrare. Informimi i ndërsjellë dhe kujdesi mes nesh për momentin janë mburoja e vetme reale.
Prandaj, për sigurinë tuaj, nëse kaloni transit nëpër Serbi, hiqni çdo shenjë të tillë”, ka thënë Koci në një postim në Facebook.
