Klitschko i motivuar nga fitorja e Fury, lë të hapur mundësinë për t’iu rikthyer boksit
Wladimir Klitschko mund të kthehet në ringun e boksit.
Ikona ukrainase, Klitschko ka ndjekur zhvillimet e fundit në botën e boksit, ku Tyson Fury u rikonfirmua si kampion i WBC pas fitores ndaj Dillian Whyte.
Klitschko është shprehur i lumtur me fitoren e Fury dhe ka lënë të hapur mundësinë që t’i kthehet boksit.
“Unë mësova se përkundër luftës, nuk duhet të harrosh jetën. Sporti është pjesë e jetës sime. Jam i kënaqur që Tyson Fury fitoi”, ka thënë Klitschko.
“Kush e di, nuk dua të premtoj diçka të madhe, por nëse jam në formë të mirë, dhe mbi të gjitha, nëse lufta në Ukrainë mbaron së shpejti dhe ne kemi kufijtë tanë pa një pushtim nga Rusia, atëherë ku i dihet?”, shtoi ukrainasi, i pyetur për një rikthim të mundshëm në Ring.
Wladimir Klitschko, së bashku me vëllain e tij, Vitali janë kthyer në dy figura heroike, në këtë kohë lufte në Ukrainë. Ish-kampionët e boksit në peshat e rënda kanë rrokur armët për të mbrojtur vendin e tyre nga agresioni rus.
