Kishat e mbyllura!

Shkruan: Pal ShTUFI

(tregim)

Një ditë e takoj një mik në “Urban”. U takuam rastësisht, por mund të them se ishte rastësi e mirë.

Derisa cakërronim gotat e birrës, miku më tregon se paska vizituar Gjermaninë dhe qenka ballafaquar me një të vërtetë, të cilën unë e paskam thënë publikisht. Disa herë.

Miku më tha se në disa qytete gjermane kishat katolike nuk ishin më në shërbim të besimtarëve. Ato ishin shndërruar në muze. Ndërkaq, edhe kishat protestante dhe evangjeliste ishin shumë afër këtij përfundimi. Me një fjalë, miku im, edhe pse besimtar i devotshëm, e pranoi që kisha pasur të drejt kur kam treguar për gjendjen e besimit e të religjionit në Perëndim.

Në fakt, unë kam të drejt edhe kur parashikoj të ardhmen e religjionit në tërë perëndimin e ndritur, në Japoni, Kinë, Kanada, Australi dhe Zelandë të Re. Parashikoj se deri në vitin 2060 të gjitha kishat do të shndërrohen në muze. Ka një logjikë. Nëse brenda pesë viteve, vetëm në Gjermani mbyllen 131 kisha katolike, lehtë mund ta marrim me mend se çfarë ka për të ndodhur brenda 36 viteve të ardhme.

Krishterimi në Perëndim e ka mbaruar misionin e tij. Në histori do të mbetët përgjithmonë, për të gjitha të mira ose të këqija që ka bërë. Perëndimi e respekton krishterimin, ia ruan historinë, objektet e kultit, objektet kulturore dhe të gjitha vlerat e artit, arkitekturës dhe veprat shkencore që ka krijuar për dymijë vitet e shkuara. Mirëpo, në fund vjen një dorë që do t’i fikë dritat e fundit në të gjitha objektet e kultit e të besimit. Kështu do të ndodh edhe me Islamin. Natyrisht, jo duke e sulmuar ose duke e anatemuar, por duke mundësuar që përbrenda tij të futet drita e dijeve humane dhe shkencave ekzakte. Të futet debati si akti më i lartë i kulturës njerëzore.

* * *

PS:

Mirënjohës mikut për sinqeritetin dhe kurajën e rrëfimit!

Go to TOP